11 qershor, 2017 – Kombëtarja e Kosovës U21 e ka zhvilluar sot pasdite seancën e fundit stërvitore para sfidës kundër Norvegjisë, në stadiumin “Marienlyst”, aty ku nesër në orën 19:00 do të zhvillohet ndeshja e dytë në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019. Fusha me bari sintetik e këtij stadiumi është në gjendje të shkëlqyeshme dhe kjo ka lënë përshtypje tek të gjithë futbollistët, por edhe stafi i Kombëtares U21. Interesimi i medieve norvegjeze për të ndjekur stërvitjen e Kombëtares Kosovës U21 ka qenë i madh, derisa Bersant Celina para stërvitjes ka dhënë intervistë për televizionin norvegjez, TV2, i cili nesër do ta transmetojë ndeshjen drejtpërdrejt. Edhe në seancën e sotme stërvitore djelmoshat tanë kanë dhënë maksimumin, derisa shihet një optimizëm i madh për paraqitje të mirë. Përzgjedhësi Rafet Prekazi ka punuar kryesisht në aspektin taktik, si dhe ka provuar skemat e fundit për ndeshjen e nesërme. Edhe këtë stërvitje e ndoqën nga afër anëtarët e KE të FFK-së, Xhelal Broja e Luan Vokshi, drejtori teknik Michael Nees, si dhe një numër i bashkëatdhetarëve tanë që jetojnë në Norvegji.
Deklaruan pas stërvitjes
Rafet Prekazi: Ishit edhe ju prezent dhe e patë edhe fushën se çfarë kualiteti ka. Kjo i ka befasuar edhe lojtarët, por edhe neve në përgjithësi. Sa i përket stërvitjes u përqendruam më shumë në aspektin taktik. Mendoj se lojtarët në çdo stërvitje e kanë dhënë maksimumin nga vetja. Nesër është mirë të japim një paraqitje të mirë. Edhe pse Norvegjia është favorite në letër, pasi ne si ekip jemi të ri në këto kualifikime, unë dhe shtabi teknik jemi krenar me këta djem me përkushtimin e tyre në stërvitje, por edhe me sjelljen dhe disiplinën e tyre. Nuk dyshoj që këta djelmosha nesër do ta japim mbi 100 përqind nga vetja. Rezultati ka rëndësi sepse futbolli luhet për rezultat, por duhet të jemi real. Së pari duhet të kemi paraqitje të mirë dhe të shohin futbollistët veten se ku janë. Nuk do të jetë tragjike nëse e humbim ndeshjen dhe tregojmë lojë të mirë, por mund të ndodhë edhe e kundërta që të luajmë pak më dobët, por ta fitojmë ndeshjen. Gjithsesi, mua më intereson vetëm që lojtarët të japin maksimumin në fushë.
Besfort Kolgeci: Jemi një ekip shumë i mirë dhe unë kam besim se mund t’ia dalim që nesër ta shijojmë fitoren. Kemi punuar shumë mirë gjatë këtyre ditëve sa kemi qenë bashkë dhe shpresoj se këtë do ta dëshmojmë nesër edhe në ndeshje. Unë jam jashtëzakonisht i kënaqur me pritjen e ngrohtë që më kanë bërë bashkëlojtarët dhe të gjithë do të japim maksimumin për t’i bërë krenar tifozët tanë.
 
 
Florent Hasani: Jemi komponuar shumë mirë dhe kemi harmoni në grup. Ardhja e tre lojtarëve nga Kombëtarja A na ka përforcuar dukshëm dhe kjo po shihet edhe në stërvitje. Na pret një ndeshje e vështirë, por besoj se do të nxjerrim rezultat pozitiv. Shpresoj se kësaj radhe do ta kemi edhe fatin në anën tonë, ngase në Irlandë qëlluam dy herë shtyllën.