7 shtator, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje në ndeshjen e dytë në kuadër të Grupit G të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2023. Dardanët edhe pse patën paraqitje të mirë në “MK Stadium” në Milton Keynes, në fund pësuan humbje nga Kombëtarja U21 e Anglisë, me rezultat 2:0. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi të mira në minutat e para, por më pas ishin anglezët që zhbllokuan shifrat në minutën e 11-të me golin e Rhian Brewster nga penalltia. Paraprakisht pas një kundërsulmi të shpejtë Brewster depërtoi në zonë, derisa portieri Leo Besson shkaktoi ndërhyrje ndaj tij, të cilën gjyqtari e akordoi penallti. Por, as ky gol nuk ndikoi në motivin e lojtarëve tanë, të cilët sërish kishin kurajë për të sulmuar, por sërish u mungoi përqendrimi në finalizimin e aksioneve. Në anën tjetër, “Tre Luanët” e rinj shënuan edhe golin e dytë, kur Cole Palmer depërtoi nga e majta dhe shënoi për 2:0. Në pjesën e dytë anglezët e menaxhuan mirë epërsinë e krijuar dhe nuk lejuan shumë hapësira për Dardanët e rinj. Ndeshjen e radhës Kosova U21 do ta zhvillojë më 7 tetor kundër Republikës së Çekisë në stadiumin “Fadil Vokrri”.