27 mars, 2018 – Kombëtarja U21 e Kosovës ka arritur të barazojë pa gola (0:0) kundër kampiones në fuqi të Evropës për këtë grupmoshë, Gjermanisë, në ndeshjen e zhvilluar në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë. Deri te ky barazim djemtë e Kosovës erdhën me angazhim vetëmohues në fushë dhe me një mbrojtje për lakmi e me disiplinë të lartë, si dhe me mbështetjen e fuqishme të tifozëve, të cilët kishin mbushur dy tribunat kryesore të stadiumit si asnjëherë deri më tash. Kosova u tregua e barabartë në pjesën e parë, madje duke krijuar edhe disa raste para portës gjermane. Në minutën e 20-të, Valmir Sulejmani u rrëzua brenda zonës së rreptësisë, por gjyqtari nuk akordoi penallti. Ndërkohë, në pjesën e dytë presioni i gjermanëve ishte më i madh, por mbrojtja e udhëhequr nga kapiteni Ardian Ismajli nuk u gjunjëzua, ndërkohë që portieri Visar Bekaj u tregua vendimtar me pritjet e tij në dy raste. Pas këtij barazimi Kosova ka 11 pikë dhe mbetet me shpresa për kualifikim. Në fund, futbollistët dhe stafi i Kombëtares U21 u duartrokiten me entuziazëm nga tifozët, për lojën e treguar kundër një superfuqie siç është Gjermania.
Kosova 0
Gjermania 0
Stadiumi “Adem Jashari”, Mitrovicë
Shikues: Rreth 7.000
Gjyqtarë: Sandor Szabo, Peter Kobor, Zsolt Varga (Hungari)
Kartonë të verdhë: Kabashi, Xhemajli, Shabani – Henrichs, Ochs.
Kosova: Bekaj, Kabashi, Ismajli, Feka (Maloku), Sulejmani, Hasani (Korenica), Broja, Mema, Krasniqi (Jashari), Shabani, Xhemajli
Gjermania: Nubel, Henrichs, Klostermann, Anton, Oztunali (Ochs), Dahoud, Amiri, Teuchert (Serdar), Lowen, Torunarigha, Eggestein (Serra).
Deklaruan pas ndeshjes:
Rafet Prekazi: “Më gëzon fakti që Gjermania s’ka pasur shumë raste sepse kemi luajtur më mbyllur. Futbollistët tanë kanë luajtur gjakftohtë dhe i kanë zbatuar idetë që ua kemi dhënë para ndeshjes. Jam i bindur se te ne ka kualitet dhe këta djelmosha e kanë dëshmuar këtë edhe sonte. Edhe në ndeshjet që i kemi humbur këta djem kanë treguar paraqitje shumë të mira dhe nuk e kanë merituar të humbin, por përvoja e ka bërë të veten. Kur ke përballë Gjermaninë është e logjishme të mbrohesh dhe ne këtë e kemi bërë me plotë sukses. Jam krenar me këta lojtar që japin 100% për shtetin e tyre. Realisht askush nuk ka pritur që në këtë grup ne të kemi 11 pikë, prandaj kjo është një arritje për ne, por nuk do të ndalemi. Duhet të vazhdojmë të rritemi sepse ky popull është i uritur për ndeshje të këtilla. Falënderoj tifozët për këtë përkrahje të fuqishme që i dhanë shpirt skuadrës”.
Stefan Kuntz: Sot nuk fituam pasi këtë nuk na e lejoi kundërshtari, që ka qenë shumë mirë i organizuar në mbrojtje dhe kanë luajtur me pasion. Edhe ekipi im ka qenë mirë në mbrojtje dhe nuk kemi lejuar që të rrezikohemi në kundërsulme. Kemi krijuar disa mundësi, por na mungoi finalizimi, por edhe mbrojtja kompakte e Kosovës nuk na e lejoi golin. Kosova është një kombëtare që ngadalë po formohet dhe ndeshjet e këtilla me shumë emocion e ndihmojnë atë. Publiku ka krijuar një atmosferë shumë të mirë, derisa ekipi im dhe tërë ekspedita e Federatës gjermane jemi ndje shumë mirë këtu”.