7 tetor, 2021 – Kombëtarja e Kosovës U21 ka pësuar humbje në ndeshjen e tretë në kuadër të Grupit G për kualifikimet e Kampionatit Evropian 2023. Dardanët e rinj janë mposhtur nga Republika e Çekisë, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri”, të enjten në mbrëmje, me rezultat të ngushtë 1:0. Ndeshja u zhvillua nën reshjet e vazhdueshme të shiut, gjë e cila ia vështirësoi dukshëm punën skuadrave në fushën e lojës, por që më mirë në këto kushte të lojës u përshtaten mysafirët, të cilët arritën që të gjejnë edhe rrugën e golit. Ishte minuta e 38-të kur mbrojtësi 20-vjeçar i Slavia Pragës, Adam Gabriel realizoi për tri pikët e rëndësishme për çekët. Në vazhdim të lojës Dardanët bënë maksimumin që të rikthejnë baraspeshën në rezultat, por mysafirët e menaxhuan me sukses lojën dhe epërsinë e krijuar deri në fund të ndeshjes. Pas ndeshjes, përzgjedhësi Michael Nees u shpreh i dëshpëruar me rezultatin. “Kemi pasur përballë një skuadër shumë të fortë. Pasi golit të pësuar ishte shumë e vështirë të ktheheshim në lojë. Provuam por nuk arritëm të dilnim në lojën tonë. Humbja është dëshpëruese por duhet të pajtohemi. Është dashur të provonim më shumë por ishte e vështirë. Duhet të besojmë te forca jonë dhe të përgatitemi për ndeshjen e radhës”, theksoi Nees. Kësisoj, Kosova U21 pas tri ndeshjeve të zhvilluara në këtë cikël kualifikues mbetet në kuotën e tri pikëve dhe zë pozitën e katërt në grup, derisa Republika e Çekisë e kryeson renditjen me 9 pikë. Ndeshjen e radhës Kosova U21 e zhvillon të martën e ardhshme prap kundër Republikës së Çekisë, por në udhëtim.