Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 25-të në Raiffeisen Superligë. Në katër takime fitoreve iu gëzuan skuadrat vendase, derisa në një duel festuan mysafirët. Ishte pikërisht Kosova e Vushtrrisë, e cila arriti të arkëtojë tri pikë tejet të rëndësishme në Mitrovicë në duel me Trepçën’89, duke fituar 1:0. Për fitoren e pestë në shtatë takimet e fundit të vushtrriasve u përkujdes Dior Zabërgja, me golin e shënuar në minutën e 60-të. Në anën tjetër, Trepça’89 pati mundësi për të shënuar në minutën e 9-të, por Shpëtim Idrizi dështoi nga pika e bardhë. Ndërkohë, lideri i Superligës, Feronikeli është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur Istogun me rezultat 2:1. Golat për skuadrën nga Drenasi i shënuan Përparim Livoreka, në minutën e 6-të dhe Mendurim Olluri, në minutën e 48-të, derisa golin e vetëm për Istogun e realizoi Besnik Morina, në minutën e 64-t. Fitore tejet të rëndësishme, por goxha të vështirë ka realizuar Prishtina, duke e mposhtur Dritën, me rezultat 1:0. Golin e vetëm të kësaj sfide e realizoi Mentor Zhdrella, nga gjuajtja e lirë, në minutën e 54-t. Në anën tjetër Hajvalia u tregua bindëse në duel me Trepçën, duke e mundur me shifrat 4:0, me golat e shënuar nga Shkëlqim Pacolli (40’), Erdin Hashani (56’), Fuat Karabegu (70’) dhe Genc Hamiti (83’). Ndërkohë, tri pikë shumë të rëndësishme si vendase i ka arkëtuar edhe Drenica në duel me Vëllaznimin, që ka fituar me rezultat 1:0, me golin e Sami Gecit nga penalltia, në minutën e 37-të.