25 korrik, 2019 – Kombëtarja e Kosovës ka përparuar për një pozitë në renditjen e re të FIFA-s, e cila është publikuar sot. Tani “Dardanët” ndodhen në pozitën e 120-të të FIFA-s, me 1149 pikë, aq sa kishin edhe në renditjen e muajit të kaluar, duke pasur parasysh se në këtë periudhë nuk kanë zhvilluar ndeshje. Kosova dy ndeshjet e radhës do t’i zhvillojë në muajin shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020, kundër Çekisë më 7 shtator në Prishtinë dhe kundër Anglisë, më 10 shtator në Sauthampton. Në tri ndeshjet e deritashme në fushatën kualifikuese “Dardanët” kanë realizuar një fitore e dy barazime.