31 mars, 2019 – Djemtë e Kombëtares U17, që u kualifikuan për rrethin elitë, në garat e kësaj faze ndonëse nga loja në lojë u përmirësuan dukshëm, nuk ia arritën të fitojnë. Pas humbjes nga Ukraina me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë, pastaj në ballafaqimin e dytë me Spanjën 1:0, sot ata e mbyllën rrethin elitë me një tjetër humbje nga Greqia me rezultat 2:0, ndonëse në fushë ishin më të mirë dhe jo gjithmonë fiton më i miri. Duke u bazuar në posedimin dhe qarkullimin e topit dhe rastet e krijuara, fitorja do të duhej t’i takonte Kosovës. Por, një penallti e akorduar në minutën e 19-të, që më tepër ishte ndërhyrje ndaj portierit tonë, grekët kaluan në epërsi dhe një gol i minutës së 42-të si pakujdesi e mbrojtjes sikur regjistroi fitoren e Greqisë. Djemtë tanë patën më shumë nga loja dhe me shpirt u angazhuan dhe krijuan raste për shënim, por sikur topi nuk donte të futej në rrjetën e portës greke. Në këtë ndeshje veç shumë adhuruesve nga mërgata, i pranishëm në ndeshje ishte edhe sekretari i përgjithshëm i UEFA-s z.Theodore Theordoridis, ku takua edhe me anëtarin e KE z. Mirsad Çollakun si dhe Konsulli i përgjithshëm e Kosovës në Gjenevë z.Ramadan Avdiu, i cili ishte pranishëm veç vizitës edhe në çdo ndeshje të Kombëtares U17. Po ashtu ishte i pranishëm edhe nd.trajneri i Kombëtares A, z. Ramush Gashi. Kosova U17 pra e mbylli rrethin e elitë me humbje dhe mbetet për t’u punuar shumë në të ardhmen.
Pas ndeshjes përzgjedhësi Besnik Kollari deklaroi:
Dua t’i përgëzoj djemtë në çdo ndeshje për një angazhim jashtëzakonisht të madh. Vet fakti që u kualifikuam në rrethin elitë është një sukses i madh. Natyrisht se garat e rrethit elitë janë të nivelit shumë më lartë që kërkon edhe një angazhim dhe cilësi edhe më të madhe. Nga ndeshje në ndeshje këta djem jo vetëm që u përmirësuan por edhe treguan karakter. Patën përballë ekipe të nivelit të lartë e të cilat sipas informatave tona i kanë nga 45 deri në 60 ndeshje e që luajnë së bashku e kjo flet mjaft, ndërkaq ne me 4-5 ndeshje është e pamundur të bëhet më shumë. Gjithsesi ishte një përvojë e mirë për të ardhmen dhe jemi të vetëdijshëm se na pret një punë e madhe dhe ne nuk do të ndalemi, sepse ka shumë shtete që me vite nuk kanë arritur asnjë sukses e ne për dy vjet arritëm në rrethin elitë. Do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim.
Greqia – Kosova 2:0 (2:0)
Stadiumi: Fusha e futbollit e UEFA-s, Nyon
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtarë: G. Leibuvitz, N. Donat, Ch. Chailler e S. Horisiberger.
Shënues: Tzolis (19 P e 42) për GR.
K.V.: Grosidis e Karakoutis të GR e
K.K:Bilalli (pas 2 KV), Avdyli, Pacolli, Zumberi e Tusha të Kos.
Greqia: Tzolakis, Tsavos, Aslanidis, Karamparis, Tzolis, Aventisinian, Pavlidis, Grosidis(Grosadinis), Karakoutis(Arsenidis), Souritis(Kotopoulos) e Liatsos(Siatounis).
Kosova: Nreca-Bisnger, Pacolli, Hasani, Bekaj(Haxha), L. Avdyli(Hasani), Lokaj, Kryeziu, Asllani(Berisha), Hyseni(Bilalli) Tusha(M. Avdyli) e Spahiu.