Sot më 18 shtator, kryetari i FFK-së Fadil Vokrri dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu, pas kthimit nga Malta ku qëndruan si mysafirë të ftuar nga UEFA prej 14 deri më 17 shtator, e ku u mbajt edhe mbledhja e KE të UEFA-s, u takuan me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Kujtim Shala. Krerët e FFK-së e njoftuan ministrin Shala me takimet që kanë pasur në Maltë me shumë kryetarë dhe sekretar të federatave nga të cilët morën edhe mbështetje dhe si rezultat i këtyre takimeve dhe takimeve të mëhershme, KE i UEFA-s ka debatuar në Maltë për rastin e Kosovës dhe ka marrë vendim që çështja e pranimit të Kosovës të shqyrtohet në Kongresin e UEFA-s që do të mbahet në Budapest në mars. Kësisoj UEFA ka gjetur mundësinë e shmangies së pengesave ligjore. Këtë e dëshmon edhe vendimi zyrtar i lëshuar nga UEFA, ku thuhet: “Është bërë pranimi i kërkesës së Federatës së Futbollit të Kosovës për anëtarësim në UEFA dhe do të vendoset për pranim në Kongresin e rregullt të UEFA-së më 2016”. Kryetari Vokrri mendon se vullneti i mirë ka mbizotëruar këtë herë në UEFA, e cila ka vendosur që të drejtat esenciale njerëzore për lojë t’i marrë parasysh, para nenit famoz të vitit 2001, ku anëtarët e ri duhet të jenë anëtar të OKB-së. Prandaj krerët e FFK-së e përshëndesin këtë vendim me shpresë që në mars FFK-ja do të bëhet anëtare e UEFA-s.