Të dielën më 22 shtator, kryetari i FFK-së z. Fadil Vokrri i shoqëruar nga anëtari KE z. Agim Maloku si dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu kanë takuar në Prizren trajnerin e mirënjohur dhe ish përzgjedhësin e Kombëtares greke Otto Rehagel, i cili këto ditë po qëndron në vizitë të korpusit gjerman të KFOR-it në Kosovë. Gjatë takimit kryetari Fadil Vokrri e njohu z. Rehagel për zhvillimin e futbollit të Kosovës, me punën që po bëhet nëpër klube dhe shkollat e futbollit. Për sistemin garues, ligat si dhe për infrastrukturën e futbollit. Veçmas me theks të veçantë kryetari Vokrri e njohu mikun nga Gjermani për përpjekjet e FFK-ë për anëtarësimin në mekanizmat ndërkombëtarë si për bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë që ka FFK-ja me Federatën e Futbollit të Gjermanisë, sidomos në ngritjen profesionale të trajnerëve dhe mbështetjen e plotë që po i je DFB-ja futbollit të Kosovës, të cilën e ka falënderuar dhe me synim që ky bashkëpunim të thellohet edhe më shumë. Ndërsa, nga ana e tij z. Otto Rehagel ka falënderuar krerët e FFK-së për këtë të dhëna, duke pranuar faktin se ai ka pasur shumë pak për të mos thënë hiq fare njohuri për futbollin e Kosovës. Ai është shprehur i mahnitur me zhvillimin kaq të hovshëm të futbollit në Kosovë dhe me përkushtimin e zyrtarëve të FFK-së për të arritur objektivat e tyre. Tutje z. Rehagel ka thënë se nga kjo që mësova këtu futbolli i Kosovës ka të ardhme të ndritur dhe me të drejt kërkon të bëhet pjesë e arenës ndërkombëtare, duke premtuar mbështetje për FFK-në duke shfrytëzuar autoritetin që ai ka në futbollin evropian.