29 shkurt, 2020 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 20-të në Ipko Superligë. Interesimin më të madh në këtë javë e ka zgjuar ndeshja ndërmjet Prishtinës dhe Ballkanit që u zhvillua në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në praninë e rreth 8 mijë tifozëve. Përballja e këtyre dy skuadrave që luftojnë për titullin e kampionit u mbyll pa fitues dhe pa gola. Kësisoj, skuadra nga Theranda e ruajti epërsinë prej tre pikësh ndaj Prishtinës, por tashmë ka vetëm një pikë më shumë se sa Drita, e cila dje realizoi fitore kundër Drenicës. Fitore që e mban në hap me skuadrat e kreut ka shënuar kampioni në fuqi, Feronikeli, duke e mposhtur Trepçën’89, me shifrat 3:0. Golat e këtij takimi në “Rexhep Rexhepi” i shënuan Mendurim Hoti, Mevlan Zeka dhe Albert Dabiqaj. Mysafirët që nga minuta e 26-të luajtën me një lojtar më pak pas përjashtimit të Lassine Traore. Fitore me rezultat bindës ka realizuar edhe Gjilani, por si mysafir i Dukagjinit në Klinë, me shifrat 4:0. Tomislav Busic (2’), Sabino Plaku (25’), Franc Veliu (79’) dhe Gerhard Progni (89’) shënuan në fitoren e rëndësishme të gjilanasve. Ndërkohë, Ferizaj ka shënuar fitore në duel me Llapin, me rezultat 2:0, triumf ky i cili i jep shpresa në garën për mbetje në elitë. Të dy golat për ferizajasit i shënoi Dren Gashi.