Foto-64 shtator, 2016 – Sonte kryetari i Federatës së Futbollit të Finlandës z. Pertti Alaja shtroi një darkë speciale për delegacionin e FFK-së, kryetarin Fadil Vokrri, nënkryetarët Agim Ademi dhe Bekim Haxhiu dhe sekretarin e përgjithshëm  Eroll Salihu. Në këtë darkë ishin edhe kryetari i komunës së Turkut Seppo Lehtinen dhe zyrtari i FIFA-s z. Barrz W Bright që do ta monitorojë ndeshjen Finlanda – Kosova. Kryetari  i federatës finlandeze z. Alaja duke u dëshiruar mirëseardhje dhe qëndrim të këndshëm në Finlandë tha se e gëzon fakti që një shtet i ri dhe FFK-ja e posapranuar në UEFA dhe FIFA  është mysafirë i FF të Finlandës dhe se do të takohen në hapjen e eliminatoreve  për Kampionatin Botëror. Ndërkaq, kryetari Vokrri duke falënderuar mikpritësin ka folur edhe për rrugëtimin e futbollit të Kosovës me plotë sakrifica dhe mundime, por që në fund u arrit qëllimi dhe tashmë Kosova është pjesë e kualifikimeve për Botërorin ‘Rusia 2018’. z. Bright theksoi se për mua është shumë nder dhe emocionuese monitorimi i kësaj ndeshje historike për futbollin e Kosovës.
Të gjithë u pajtuan se nesër do të jetë një ndeshje e mirë dhe me atmosferë sportive dhe korrekte. Në fund të darkës kryetari Fadil Vokrri u dorëzoi dhurata kryetarit të FF të Finlandës dhe të tjerëve.