3 nëntor, 2016 – Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka marrë pjesë në përurimin e fushës së stadiumit “Zahir Pajaziti” në Podujevë, që u bë sot para ndeshjes së javës së 12-të në Vala Superligë, ndërmjet Llapit dhe Prishtinës. Përurimin e kësaj fushe e kanë bërë, ministri Kujtim Shala, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, një investim ky i ministrisë me vlerë prej rreth 250 mijë eurosh. Me këtë rast, ministri Shala u shpreh se ky është një investim i tejet i rëndësishëm për Podujevën, ndërkohë që u shpreh se investimet do të vazhdojnë vitin e ardhshëm për ta bërë këtë stadium sa më adekuat për zhvillimin e futbollit. Ndërsa kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, e falënderoi ministrin Shala për përkrahjen e vazhdueshme, dhe u shpreh se me këtë investim janë përmirësuar dukshëm kushtet për futbollin në këtë komunë. Në anën tjetër, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri tha se ky është një fillim i mbarë dhe shpresojmë që në partneritet me ministrinë dhe komunën do të investojmë edhe në stadiume tjera për t’u zhvilluar gara në kushte normale. “Unë përgëzoj edhe kryetarin e komunës, si dhe ministrin Shala për mbështetjen që ia ka dhanë futbollit kosovar, sidomos në këto vite, ku ne si federatë e papranuar sigurisht që kemi pasur nevojë për mbështetje. Tash, me pranimin tonë sigurisht se edhe ne do të mundohemi që në partneritet me ministrinë dhe komunat të investojmë nëpër stadiume. Është një fillim i mirë dhe shpresojmë që do të vazhdojmë me këtë trend dhe të investojmë në fusha tjera”, tha Vokrri.