26 gusht, 2016 – Kryetari i FFK-së Fadil Vokrri, bashkë me nënkryetarin Agim Ademi, sekretarin e përgjithshëm Eroll Salihu dhe Komisionin për futsall, pritën sot klubin e futsallit “Feniks” nga Drenasi, i cili me sukses kaloi fazën e parë duke u kualifikuar për rrethin e dytë në UEFA Futsal Cup. Kryetari Vokrri duke i përshëndetur, kryesinë, shtabin teknik dhe futbollistët e Feniksit, përgëzoi ata duke u premtuar edhe ndihmën dhe mbështetjen edhe më të madhe për garat e ardhme. “Unë besoj -tha kryetari Fadil Vokrri – se ashtu siç na bëtë krenar në ndeshjet e fazës së parë do të na bëni edhe në vazhdim dhe unë uroj që të arrini sa më lartë që është e mundur”. Ndërsa, kryetari i klubit “Feniks” Faik Fazliu, falënderojë drejtuesit e FFK-së për këtë pritje dhe mbështetje. “Nëse nuk do të mungojë, e unë besoj se nuk do të mungojë mbështetja e të gjithëve e veçmas e FFK-së, klubi do të arrijë edhe më shumë suksese – ka theksuar Fazliu, për të shtuar – Klubi jonë ka përfaqësuar denjësisht si në ndeshje ashtu edhe jashtë terrenit jo vetëm klubin por edhe Kosovën. Unë pres që në tetor kur ndeshjet e grupit tonë do të zhvillohen në Shkup të kemi edhe përkrahjen e adhuruesve, të cilët do të janë një ndihmesë e madhe për neve sepse edhe klubet do të jenë më të forta në këtë fazë”. Duke folur për ndeshjet kryetrajneri i Feniksit, Arben Simitçiu theksoi se kishin ndeshje mjaft të forta dhe cilësore. “Unë besoj në këtë ekip dhe do të arrijmë edhe më shumë suksese”, ka thënë ai. Ndërkaq, kryetari i Komisionit për futsall Rasim Gimolli, ka përgëzuar, kryesinë, shtabin teknik dhe futbollistët për këtë sukses duke besuar se skuadra do të kalojë me sukses edhe fazën e dytë për të përfaqësuar jo vetëm klubin por edhe Kosovën.