27 janar, 2020 – Federata e Futbollit e Kosovës e ka mbajtur sot Kuvendin Zgjedhor për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Të pranishëm në mbledhjen ishin 55 nga 58 delegatët e Kuvendit, derisa punimet e tij u ndoqën nga afër nga përfaqësuesi i FIFA-s, Oliver Jung, përfaqësuesi i UEFA-s, Denis Bastari, sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe nënkryetari i FSHF-së, Lutfi Nuri, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori i DSK-së, Ibër Alaj. Në fillim të punimeve të këtij kuvendi të pranishmit i përshëndeti Olivier Jung, i deleguari i presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino.
“I nderuar president Agim Ademi dhe të nderuar pjesëmarrës. Jam këtu për t’iu përcjellë urimet më të mira për këtë kuvend nga presidenti Gianni Infantino. FIFA është shumë e lidhur me të gjitha anëtaret e saj dhe gjithmonë i përkrah ato. Ne së bashku me UEFA-n gjithmonë i përkrahim anëtaret tona nëpërmjet projekteve të zhvillimit. Qëllimi ynë është që të rrisim zhvillimin e futbollit. FFK-ja ka përfituar në shumë projekte nga FIFA në zhvillimin e futbollit të femrave dhe të grupmoshave të reja, si dhe ndërtimin e fushave me bari sintetik.FIFA do të vazhdojë ta përkrahë FFK-në në projektet zhvillimore edhe në vitet e ardhshme. Presidenti Ademi dhe administrate e tij e kanë bërë një punë të shkëlqyeshme. Ata kanë vizion, por këtë duhet ta keni edhe ju, Lidhjet rajonale dhe të gjithë ata që janë pjesë e futbollit, në mënyrë që të vazhdoni me zhvillimin e futbollit. Suksesi nuk arrihet brenda natës, por me punë të vazhdueshme mund të arrihet shumëçka dhe FFK-ja është duke e bërë këtë. Uniteti i këtij asociacioni është shumë i rëndësishëm. Unë falënderoj presidentin Ademi për punën dhe transparencën e deritashme, pasi kjo na e ka lehtësuar punën dhe kemi arritur deri këtu duke bërë shumë reforma. Pra, mos kini frikë të merrni vendimet e duhura për të mirën e futbollit”, ka thënë Olivier Jung, duke i uruar Kosovës sukses në ndeshjen e 26 marsit në Shkup kundër Maqedonisë së Veriut.
Një fjalë rasti në emër të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin, e ka mbajtur para delegatëve edhe Denis Bastari: “Fillimisht ju përcjellë përshëndetjet më të ngrohta të presidentit të UEFA-s, Aleksandër Ceferin dhe sekretarit të përgjithshëm Theodore Theodoridis. Për UEFA-n është tepër i rëndësishëm raporti i ngushtë me anëtaret tona dhe gjithashtu mundësia që kemi për të vëzhguar nga afër të gjitha ndryshimet si në aspektin e projekteve dhe programeve të ndryshme, por njëkohësisht edhe ndryshimet e brendshme që ndodhin në Federatë. FFK-ja mbetet anëtari më i fundit i pranuar në UEFA, por sigurisht zhvillimi që është bërë gjatë viteve të fundit është tepër i dukshëm dhe ne jemi shumë të lumtur që kemi mundësi të shohim përparime të vazhdueshme. Sigurisht se kudo ka vend për përmirësime dhe po ashtu edhe kritikat janë në disa raste të justifikueshme për një anëtar të ri si ju, por duke marrë parasysh se vetëm para 4 viteve jeni bërë anëtarë në FIFA e UEFA, gjithçka është e justifikuar. UEFA është tepër vigjilente ndaj çdo zhvillimi që ndodhë në futbollin kosovar dhe sigurisht në raste të caktuara kemi ndjerë shqetësime me zëra të caktuara që qarkullojnë rreth FFK-së apo në interferenca në punën e FFK-së. Me këtë rast kërkoi që të gjithë anëtarët të jenë të bashkuar dhe të punojnë së bashku për të mirën e futbollit dhe për të ardhmen e fëmijëve që luajnë futboll në Kosovë. Është tepër e rëndësishme në sytë e ndërkombëtarëve respektimi i rregullave dhe principeve demokratike që ju vetë i keni miratuar. Zhvillimi i futbollit në Kosovë është shumëherë më i rëndësishëm për të gjithë ne sesa interesat personale të kujdo individi. Ndaj UEFA nuk do të lejojë kurrsesi që këto interesa të dëmtojnë zhvillimin e futbollit në Kosovë“, ka thënë Bastari, i cili ka përgëzuar Kosovën për rezultatet e shkëlqyeshme në Ligën e Kombeve dhe në kualifikimet për Euro 2020.
Të pranishmit i kanë përshëndetur me nga një fjalë rasti edhe sekretari i përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, presidenti i KOK-ut, Besim Hasani dhe drejtori i Departamentit të Sportit, Ibër Alaj. Duke pasur parasysh zërat kontestues të disa prej përfaqësuesve të klubeve në media për një kohë të gjatë rreth mandatit të tij katërvjeçar, presidenti Ademi u shpreh i gatshëm që ta kërkojë edhe vetëbesimin e delegatëve. Megjithatë, pas disa diskutimesh të delegatëve, në disa raste duke mos e respektuar kulturën e debatit, në fund me shumicë votash u votua për rendin e ditës dhe zgjedhjen e anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, në përbërje: Bakir Burri, Agim Dibrani, Predrag Jovic, Vjollca Krasniqi, Ismajl Ajeti, Xhelal Broja, Mirsad Çollaku, Ilaz Mjaku, Naser Ajeti, Flamur Bunjaku dhe Agim Nura. Pas procesit të votimit një pjesë e delegatëve shprehën pakënaqësi dhe lëshuan sallën, por me këtë rast ndërhyri përfaqësuesi i FIFA-s, i cili sqaroi gjithçka. “Këtu po e shohim shumicën e delegatëve që votuan për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv dhe kemi një proces demokratik. Ata që dolën mund të bëjnë një pauzë me kafe, por ju mund të vazhdoni sepse e keni shumicën”, ka thënë Olivier Jung. Punimet e këtij kuvendi me kërkesë të presidentit Agim Ademi u mbyllën me një minutë duartrokitje në nderim të ish-presidentit Fadil Vokrri.