22 maj, 2021 – Janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të garave të “play-off”-it në Superligën e futsallit. Liburni ka shënuar fitore ndaj Prishtinës 01, në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë, me rezultat bindës 4:1, por pas një loje mjaft interesante dhe dramatike. Në fakt, kryeqytetasit e mbyllën pjesën e parë në epërsi (0:1), por gjakovarët arritën ta përmbysin rezultatin në pjesën e dytë, me katër gola. Ndeshja mjaft interesante u zhvillua edhe në kryeqytet në gjysmëfinalen tjetër, ndërmjet Prishtinës dhe Liqenit, ku fitores iu gëzuan mysafirët nga Drenasi, me rezultat 2:1. Ndeshjet e dyta do të zhvillohen më 25 dhe 26 maj.