Kampioni i Kosovës në futsall, Liburni nga Gjakova, e ka siguruar kalimin në fazën e ardhshme të garave në UEFA Futsal Cup, që quhet “Main Round”. Ky rreth i garave do të zhvillohet në muajin tetor në Zagreb të Kroacisë.
Në ndeshjen e parë Liburni e mposhti skuadrën lituaneze, Vytis, me rezultat 7:3, derisa në ndeshjen e dytë e mposhti me rezultat bindës skuadrën malazeze, Titograd, me shifrat 7:2. Ndeshjen e tretë dhe të fundit për këtë fazë Liburni e luan të shtunën në orën 20:30 kundër kampionit të Luksemburgut, Differdange. Megjithatë, tashmë Liburni e ka siguruar kalimin tutje, pasi Vytis dhe Differdange kanë luajtur baras në ndeshjen e xhiros së dytë.