31 maj, 2017 – FC Liburni nga Gjakova është kampion i ri i Superligës së Kosovës në futsall. Skuadra gjakovare iu gëzua fitores edhe në takimin e dytë të finales së “play-off”-it kundër ish-kampionit, Feniksit nga Drenasi, me rezultat 3:2, që u zhvillua mbrëmë në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë. Ideal Brovina ngriti në këmbë rreth 2500 shikues në minutën e 11-të, kur realizoi gol për 1:0. Mirëpo, gëzimi i vendësve zgjati vetëm 2 minuta, pasi Kemajl Gashi barazoi shifrat në 1:1. Në minutën e 17-të Halim Selmanaj riktheu epërsinë e gjakovarëve, 2:1, me të cilin rezultat u mbyll pjesa e parë. Pjesën e dytë e nisën më mirë futbollistët e Feniksit, të cilët në minutën e 26-të barazuan shifrat në 2:2. Mirëpo, vetëm katër minuta më vonë Halim Selmanaj shënoi sërish për t’ia siguruar fitoren Liburnit, 3:2. Ndeshja e parë e zhvilluar në Drenas në kohën e rregullt ishte mbyllur baras, me rezultat 3:3, derisa në penallti Liburni kishte fituar 6:5. Në të dyja ndeshjet palestrat ishin të stërmbushura dhe me atmosferë të shkëlqyeshme, duke dëshmuar edhe një herë se futsalli po bëhet gjithnjë e më atraktiv për shikuesit. Pas këtij suksesi Liburni do ta përfaqësojë Kosovën në Ligën e Kampionëve në futsall.