26 tetor, 2022 – Kampioni në fuqi i Kosovës në futsall, FC Liqeni ka pësuar humbje të thellë në duelin e dytë në kuadër të Grupit 3 në “Main Round” në Ligën e Kampionëve, ndeshjet e të cilit grup po zhvillohen në Prishtinë. Pas fitores ndaj skuadrës daneze, Gentofte (4:3), Liqeni, të mërkurën, është mposhtur nga skuadra polake, Piast Gliwice, me rezultat 9:3. Pjesa e parë u mbyll me shifrat 3:0 në dobi të polakëve. Në pjesën e dytë kampionët tanë e nisën mirë lojën dhe e ngushtëuan epërsinë në 3:2, por më pas gjithçka kaloi në shenjë të skuadrës polake, e cila realizoi edhe gjashtë gola. Golat për Liqenin i shënuan Sanchez Nagles, Dardan Topilla dhe Jakup Ramadani. Ndeshjen e fundit në grup Liqeni e zhvillon kundër Stalista Minsk, por kjo ndeshje do të shërbejë vetëm sa për statistika, ngase gjasat për të kaluar në fazën e grupeve pas humbjes së sotme janë shuar.