20 tetor, 2017 – Sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të javës së 11-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Trepça’89 ka shkëputur një pikë si mysafire në Gjilan, duke barazuar me Dritën, me rezultat 1:1. Të parët në epërsi kaluan mitrovicasit me golin e shënuar nga Florent Hasani në minutën e 21-të, por Drita barazoi shifrat në minutën e 71-të me golin e realizuar nga Chibueze. Në fund të ndeshjes mysafirët patën mundësi të artë për të realizuar edhe golin e fitores, por Leotrim Rexhepi e priti gjuajtjen e Florent Hasanit nga penalltia. Ndërkohë, Liria e ka mposhtur me rezultat bindës liderin e renditjes, Llapin, me rezultat 3:0, me golat e shënuar nga Florent Avdyli (1’), Zenel Gavazaj (42’) dhe Besart Islamaj (80’). Ballafaqimi i fqinjve Drenicës dhe Feronikelit, i zhvilluar në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj është mbyllur pa fitues dhe pa gola. Ndërkohë, ndeshja ndërmjet Flamurtarit dhe Vëllaznimit është ndërprerë në minutën e 90-të, pas golit të barazimit të skuadrës mysafire (1:1). Për këtë ndeshje Komisioni i Garave do ta marrë vendimin në mbledhjen që do ta mbajë të hënën pas grumbullimit të të gjitha materialeve.