27 maj, 2023 – Liria e ka fituar të drejtën për të luajtur ndeshjen e barazhit për Albi Superligë, pasi të shtunën ka shënuar fitore ndaj Ulpianës, me rezultat 3:1. Ndeshja e barazhit e Ligës së Parë, ndërmjet dy skuadrave që përfunduan në pozitat e dyta në grupet respektive të kësaj kategorie të garave, u zhvillua në stadiumin “18 Qershori” në Klinë në një atmosferë impozante. Liria u shfaq skuadër më e mirë gjatë tërë lojës dhe në fund iu gëzua fitores, e cila ia mundëson zhvillimin e ndeshjes përcaktuese për t’u rikthyer në elitën e futbollit kosovar kundër skuadrës e cila do të përfundojë në pozitën e 8-të në Albi Mall Superligë. Kundërshtarin e saj, Liria, do ta mësojë nesër, e që do të jetë Ferizaj ose Trepça’89, varësisht prej rezultateve të xhiros së fundit në elitë. Edmond Likaj shënoi golin e parë për prizrenasit, në minutën e katërt, derisa në minutat e fundit të pjesës së parë epërsinë e shtoi Petrus Megameno. Edhe pjesën e dytë Liria e nisi më mirë dhe në minutën e 52-të, Diellor Beseni realizoi për 3:0. Ndërkohë, në minutën e 88-të, skuadra lipjanase arriti të shënojë golin e vetëm përmes Gentian Eminit.