31 gusht, 2018 – Sot është zhvilluar ndeshja hapëse e javës së 3-të në IPKO Superligë ndërmjet Lirisëdhe Dritës, e cila u zhvillua në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren, e ku pas një loje mjaft interesante fitores iu gëzua Liria, me rezultat 3:2. Për prizrenasit kjo ishte fitorja e parë në këtë edicion, derisa për skuadrën kampione në fuqi kjo ishte humbja e dytë radhazi. Gjilanasit kanë qenë dy herë në epërsi gjatë kësaj ndeshjeje, por bardhezinjtë e Prizrenit kanë arritur të kthehen në lojë dhe ta përmbysin rezultatin. Xhevdet Shabani e kaloi Dritën në epërsi në minutën e 28-të. Megjithatë, shifrat i barazoi Qëndrim Gashi, në minutën e 40-të, me një eurogol të shënuar nga distanca. Edhe pjesën e dytë gjilanasit e nisën më mirë, duke kaluar në epërsi në minutën e 52-të, me golin e shënuar nga Haxhi Neziraj pas asistimit të Xhevdet Shabanit. Mirëpo, sërish gëzimi i mysafirëve nuk zgjati shumë, pasi në minutën e 62-të rezultatin e barazoi Liridon Fetahaj, duke shfrytëzuar një gabim të portierit Leutrim Rexhepi. Ndërkohë, i njëjti futbollist vetëm pesë minuta më vonë realizoi edhe golin e tij të dytë dhe të fitores për Lirinë.