28 prill, 2018 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para në kuadër të javës së 29-të në Vala Superligë. Liria ka shënuar fitore para tifozëve të vet në stadiumin “Përparim ThaçI” në Prizren në duel me Gjilanin, me rezultat 3:2, në një lojë mjaft interesante, me shumë raste e shumë gola. Për Lirinë kjo ishte fitorja e parë pas tri barazimeve e një humbjeje. Prizrenasit kaluan në epërsi në minutën e 9-të, me golin e shënuar nga Elton Basri. Rezultati u barazua në minutën e 36-të me golin e Ylber Kastratit, mirëpo pak para përfundimit të pjesës së parë Artur Magani e riktheu epërsinë për Lirinë, 2:1. I njëjti futbollist shënoi edhe në minutën e 64-t për 3:1. Gjilani arriti ta ngushtojë epërsinë e vendasve në minutën e 74-t me golin e Betim Haxhimusës, por kjo ishte e tëra çfarë arriti të bëjë, ndonëse nga minuta e 77-të  kishte epërsinë numerike në fushë pas përjashtimit të David Domgjonit. Me këtë fitore Liria u ngjit në pozitën e tretë, derisa Gjilani mbetet i rrezikuar për t’u përfshirë në zonën e barazhit. E veçanta e kësaj ndeshje ishte prania e përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes.
Efikasitet edhe më i madh u tregua në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj ku Drenica e mposhti  Vllazninë, 6:2. Dy gola i realizoi Denis Peposhi (30’, 65’), derisa me nga një gol kontribuuan Hysen Tahiri (52’), Dukagjin Gashi (58’), Drilon Osmani (72’) dhe Genc Hamiti (85’). Në anën tjetër golat për mysafirët nga Pozherani I shënuan Ardian Terziu (76’) dhe Almedin Murati (87’).