Duke ndjekur lajmet në gazeta dhe portale të ndryshme në Suedi, Shqipëri e Kosovë, në lidhje me deklaratat e futbollistit Liridon Leci aktualisht lojtar i KF “Hajvalia”, FFK-ja ka thirr Komisionin Disiplinor(KD) në një mbledhje të jashtëzakonshme, për të vërtetuar deklaratat e pretenduara nga ana e Liridon Lecit.
KD në përbërje Dukagjin Zefi, kryetar, Luan Salihu dhe Avni Shala anëtarë, kanë marrë në ballafaqim dhe kanë marrë deklaratë nga futbollisti Liridon Leci në lidhje me akuzat e bëra në mediat e ndryshme. Në këtë shqyrtim futbollisti Liridon Leci para KD deklaroi me përgjegjësi, se në asnjë mënyrë e moment nuk ka përmendur figurën e presidentit të FSHF-së z. Armand Duka e as të zyrtareve te tjerë të FSHF-së, në lidhje me këto pretendime në media. Tutje z. Leci deklaroi se ai nuk ka asnjë lidhje me asnjë grup apo individ të përfshirë në kurdisje të ndeshjeve në asnjë shtet e aq më pak, në Suedi e Shqipëri. Në vijim z. Leci sqaroi se në media ka shprehur një mendim të përgjithshëm për kurdisje të ndeshjeve duke u bazuar në informatat e ndryshme që kanë qarkulluar në media, por mohon se ai vetë të jetë i përfshirë në to.
FFK-ja siguron opinionin se do të ndjekë me vëmendje të gjitha proceset në lidhje me akuzat e pretenduara ndaj Liridon Lecit, por edhe të tjerëve, duke kontaktuar te gjitha instancat relevante dhe federatat perkatese si pale interesi.