26 tetor, 2021 – Shumë raste të humbura për një fitore minimale, por gjithsesi të vlefshme të vashave tona përballë Armenisë, që në këtë ndeshje me tërë arsenalin e tyre e dëshironin fitoren. Pjesa e parë e ndeshjes kaloi në mbizotërim të vashave të Kosovës, krijuan disa raste por që nuk i kurorëzuan dhe kjo pjesë u mbyll me rezultat të barabartë 0:0. Edhe pjesa e dytë ka nisur me lojë më të mirë nga ana e futbollisteve tona si dhe me humbje të rasteve. Por, kur po zhvillohej minuta e 87-të erdhi goli i shumëpritur. Një gjuajtje nga këndi i majtë i portës mysafire, të cilën e ekzekutojë Donjeta Halilaj, kurse brenda zonës më së miri u gjend Liridonë Syla, e cila shënoi për rezultatin 0:1 dhe kështu Kosova shënoi fitoren e parë në kualifikimet për Botërorin “Australi&Zelandë e Re 2023”.

Afërditë Fazlija, përzgjedhëse
Ishte një ndeshje shumë më e vështirë se sa e kemi pritur. Si në pjesën e parë ashtu edhe në pjesën e dytë shpërdoruam shumë raste. Armenet u treguan shumë të forta dhe të vështira për t’u mundur. Megjithatë në fund vajzat arritën të shënojnë dhe të fitojmë tri pikë që janë shumë të vlefshme për neve në vazhdimin e kualifikimeve.

Liridonë Syla, futbolliste
Luajtëm mirë, krijuam shumë raste por para portës nuk u treguam të vëmendshme dhe nuk konkretizuam rastet. Jam e lumtur që shënova dhe i sigurova fitoren Kosovës, e golin e fitores veç Kosovës ia dedikoi edhe babait tim të ndjerë.

Armenia – Kosova 0:1 (0:0)
Stadiumi “ Vazgen Sargsyan” Yerevan
Shikues: disa dhjetëra
Gjyqtarë:Viola Raudzina, Diana Vanga, Marita Vitola e Laura Treimane(LAV-Letoni)
Shënues: Liridonë Syla (87).
K.V.: Ghazaryan e Armeni – Hisenaj e Kosova.
Armenia: Avesyan, Dallakyan, Sarkisian(Kapetzan), A.Avezsan(Aghabian) Ghukasyan, Dolmotova(Astryan), Artin, Yermillon. Aleksanzan, Sakhinova, Ghazaryan(Pizlova) e Klimova.
Kosova: Koleeci, Misini, Hisenaj, Syla, Grajçevci(Avduli), Kryeziu,Memeti, Halilaj, Shala(Limani), Biçkaj(Rexhepi) e Reçica(Musaj).