llamkos2Llamkos Kosova ka shënuar fitore në Skenderaj në duel me Drenicën, me rezultat 3:1, në kuadër të javës së 32-të në Raiffeisen Superligë. Kjo fitore ia ka mundësuar skuadrës vushtrriase ta sigurojë titullin e kampionit një javë para mbylljes së kampionatit.
Vendasit kaluan të parët në epërsi përmes Granit Arifajt (29’), i cili shënoi me kokë pas harkimit nga ana e djathtë që mori nga Lushtaku. Por, mysafirët u rikthyen në pjesën e dytë. Dior Zabërgja (47’) posa u inkuadrua në lojë realizoi për 1:1 me një gjuajtje të furishme pas harkimit të Valdrin Rashicës, teksa saktësisht 10 minuta më vonë erdhi goli i epërsisë. Bashkim Shala realizoi për 2:1, pas një gabimi në mbrojtjen e skuadrës nga Skenderaj. Golin e tretë për Llamkosin e shënoi talenti, Milot Rashica, (79’), pas asistimit që mori nga Bashkim Shala.
Ndërkohë, Drita e Hajvalia me fitoret e arritura këtë javë iu kanë shmangur pozitave të barazhit, duke e lënë në barazh Trepçën e Feronikelin. Shqiprim Kelmendi (57’ dhe 73’) shënoi dygolësh për Dritën, derisa Alban Rexhepi (83’) realizoi golin e tretë dhe të fundit për vendasit. Golin e vetëm të Trepçën e realizoi Arbnor Istrefi. Hajvalia e ka mposhtur Ferizajn në udhëtim, me rezultat 2:1, me golat e shënuar nga Enis Zabërgja e Genc Hamiti, derisa golin e vetëm për vendasit e ka shënuar Betim Haxhimusa.
Në anën tjetër Feronikeli ka shënuar fitore në duel me Fushë Kosovën, 2:1, por kjo nuk i ka mjaftuar për t’iu shmangur barazhit.
Golat për skuadrën e Ramiz Krasniqit i shënuan Isa Eminhaziri (22’) dhe Fatih Karahoda (67’), kurse golin për vendas e realizoi Suad Saliagiq. Ndërkohë, sfida e zhvilluar në Pejë, ndërmjet Besës dhe Trepçës’89 u mbyll pa fitues, me rezultat 2:2. Endrit Maloku e Egzon Gashi shënuan golat e vendasve në këtë sfidë, teksa Blerand Kurtishaj arriti që me dy golat e tij t’ia sigurojë një pikë mitrovicasve.