13 shtator, 2019 – Futbollistët e Llapit kanë shënuar fitore në duel me Prishtinën, në kuadër të javës së 4-t në IPKO Superligë. Ndeshja e zhvilluar në orët e mbrëmjes në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet është mbyllur me shifrat 0:1.
Golin e tri pikëve të rëndësishme për llapjanët e realizoi Sebino Plaku me gjuajtje me kokë, në minutën e 31-të, pas harkimit të Benjamin Eminit.
Para pësimit të golit ishte Prishtina që pati mundësi të mirë shënimi, por gjuajtja e Ahmed Januzit e qëlloi tërthorësen e portës llapjane.
Bardhekaltrit e kryeqytetit u treguan këmbëngulës për të gjetur rrugën e golit edhe në pjesën e dytë, mirëpo edhe pse krijuan disa mundësi nuk arritën ta çojnë topin në rrjetë për të ndryshuar epilogun e kësaj ndeshjeje.
Kësisoj, Prishtina pësoi humbjen e dytë në këtë edicion, derisa Llapi me këtë fitore ngjitet në pozitën e dytë në renditje, me 7 pikë.
Më herët Ballkani shënoi fitore në përballje me Trepçën’89 3:2, derisa ndeshjet e tjera të kësaj jave zhvillohen të shtunën dhe të dielën.