26 nëntor, 2023 – Llapi ka shënuar fitore si mysafir në përballje me Gjilanin, në kuadër të javës së 15-të në Albi Mall Superligë. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin me bari sintetik në Gjilan është mbyllur me rezultat 2:0 në të mirë të llapjanve. Loja në përgjithësi ishte e baraspeshuar deri në minutat e fundit, por inkuadrimi në lojë i Ahmed Januzit rezultoi çelës i suksesit për skuadrën e Tahir Batatinës. Në fakt, ky futbollist asistoi tek të dy golat e shënuar nga Llapi. Fillimisht asistoi për Valmir Veliun, në minutën e 83-të, derisa më pas e gjeti mjaft mirë Muhamet Hysenin, në minutën e 93-të, e ku me parabolë e mposhti portierin Betim Halimi. Pas kësaj fitoreje Llapi ngjitet në pozitën e dytë, me 28 pikë, 7 më pak se Ballkani.
Ndërkohë përballja tjetër ndërmjet Prishtinës dhe Dritës që ishte paraparë të luhej sot në Kampin Nacional në Hajvali është shtyrë, shkaku i borës dhe akullit. Kjo ndeshje do të zhvillohet të hënën në orën 13:00 në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Në të njëjtin stadium të martën prej orës 13:00 luajnë Fushë Kosova – Dukagjini, teksa ndeshja Feronikeli 74 – Liria luhet të hënën në orën 13.00 në Gjilan, në stadiumin me bari sintetik.

Superligë – Java 15
Prishtina – Drita | E hënë 27.11.2023 ora 13:00 | Stadiumi “Sami Kelmendi”, Lipjan
Feronikeli 74 – Liria | E hënë 27.11.2023 ora 13:00 | Stadiumi me bar sintetik, Gjilan
Fushë Kosova – Dukagjini | E martë 28.11.2023 ora 13:00 | Stadiumi “Sami Kelmendi”, Lipjan

Liga e Parë – Java 13
Trepça ’89 – Rilindja 1974 | E hënë 27.11.2023 ora 13:00 | Stadiumi “Riza Lushta”, Mitrovicë
Trepça – Dinamo | Shtyhet për javën e ardhshme