14 prill, 2024 – Skuadra e Llapit nuk ka arritur të marrë pikët e plota në udhëtim në kuadër të javës së 29-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Llapjanët janë ndalur në barazim 1:1, në stadiumin “18 Qershori” në Klinë në përballje me Dukagjinin, duke ngecur tashmë në garën për titull. Pas kësaj jave skuadra e Tahir Batatinës është në kuotën e 55 pikëve në pozitën e tretë, derisa Drita është e dyta me 57 dhe Ballkani kryeson renditjen me 59 pikë, kur kanë mbetur edhe 7 xhiro për t’u zhvilluar. Llapi kaloi në epërsi me golin e mbrojtësit Leotrim Bekteshi, me gjuajtje me kokë, në minutën e tretë shtesë në pjesën e parë. Por, shifrat i barazoi mbrojtësi i Dukagjinit, Ardin Dallku, po ashtu me gjuajtje me kokë, në minutën e 66-të. Në minutat shtesë të ndeshjes Llapi pati rast të pastër për gol, por Trimror Selimi nuk shënoi nga afërsia pas asistimit të shkëlqyeshëm të Ahmed Januzit, me kokë. Ndërkohë, Malisheva ka vazhduar serinë pozitive, teksa si mysafire ka shënuar fitore ndaj Fushë Kosovës, me rezultat 3:1. Skuadra e drejtuar nga Qëndrim Kida ka 52 pikë në vendin e katër, derisa Fushë Kosova mbetet në pozitën e parafundit me gjithnjë e më pak shpresa për mbijetesë. Golin e parë në ndeshje e shënoi Fushë Kosova përmes Rilind Hazirajt, në minutën e 12-të, por Malisheva bëri përmbysje të rezultatit në pjesën e dytë me golat e Damir Kojasheviqit (49’-pen.), Drilon Hazrollajt (54’) dhe Ilir Mustafës (66’).