30 tetor, 2022 – Skuadra e Llapit ka shënuar fitore bindëse në duel me skuadrën kryesuese në renditje, Dritën, në kuadër të javës së 14-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Ndeshja e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është mbyllur me rezultat 4:1. Të gjithë golat e këtij ballafaqimi janë shënuar në pjesën e parë. Drilon Fazliu i zhbllokoi shifrat e ndeshjes në minutën e 9-të. Mysafirët barazuan rezultatin në minutën e 17-të përmes Marko Simonovskit. Megjithatë llapjanët shumë shpejt e rikthyen epërsinë me golin e Bianor Netos (25’), për ta vulosur më pas fitoren me dy gola tjerë të realizuar nga Kushtrim Shabani (38’) dhe Francisco Riviera (43’). Për skuadrën e Tahir Batatinës kjo fitore erdhi pas dy humbjeve radhazi dhe një barazimi. Tani Llapi është ngritur në vendin e gjashtë me 16 pikë, derisa Drita mbetet lidere me 30 pikë. Fitore para tifozëve të vet ka regjistruar edhe Gjilani, që e mposhti Dukagjinin, me shifrat 1:0. Për fitoren e skuadrës së Zekirija Ramadanit u përkujdes Arbnor Ramadani, i cili realizoi një supergol nga distanca, në pjesën e dytë. Pas kësaj fitoreje Gjilani zë vendin e tretë me 23 pikë, ndërsa Dukagjini renditet i teti me 12 pikë. Të shtunën janë zhvilluar dy ndeshjet e tjera të kësaj jave, ku Malisheva realizoi fitore ndaj Trepçës’89, me rezultat 4:0, derisa Ferizaj dhe Drenica luajtën baras 1:1. Ndeshja ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës është shtyrë për shkak të angazhimeve të skuadrës suharekase në UEFA Conference League.