22 nëntor, 2017 – Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 16-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kryesuese, Llapi, ka shënuar fitore bindëse në Pejë në duel me Besën, me rezultat 6:1. Golat për llapjanët i shënuan Berbatovci (10’), Begolli (17’), Zeqiri (24’, 33’) dhe Daku (53’, 75’), derisa golin e nderit për Besën e realizoi Gashi (70’). Fitore me rezultat bindës ka shënuar edhe Feronikeli në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, duke e mposhtur Vëllaznimin, me shifrat 3:0. Dy gola për Feronikelin i realizoi Mendurim Hoti (28’, 34’), derisa me një gol kontribuoi Granit Arifaj (50’). Tri pikë të rëndësishme në shtëpi i ka arkëtuar edhe Liria, e cila e mposhti Flamurtarin, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Zenel Gavazaj (63’) dhe Meriton Korenica (78’). Ndërkohë, dy ndeshjet tjera Gjilani – Trepça’89 dhe Drenica-Drita kanë përfunduar pa fitues dhe pa gola. Trepça’89 kishte mundësi shumë të mirë për të shënuar fitore, por Rron Broja dështoi nga pika e bardhë në minutën e 76-të.