2 tetor, 2019 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 8-të në Ipko Superligë. Llapi ka shënuar fitore si mysafir në Drenas, duke e mposhtur kampionin në fuqi, Feronikelin, me rezultat 2:1. Llapjanët kaluan në epërsi në minutën e 41-të me golin e realizuar nga Mentor Zhdrella. Vendasit i barazuan shifrat në minutën e 81-të, me golin e Mevlan Zekës. Megjithatë, në minutat shtesë llapjanët arritën të shënojnë golin e fitores, kur gjuajtjen e Mërgim Pefqelit portieri Troshupa e dëboi brenda vijës fatale. Për Feronikelin kjo ishte humbja e parë pas tri fitoreve, por në përgjithësi humbja e tretë në këtë edicion. Serinë e paraqitjeve të mira e vazhdoi Ballkani, që arriti të mposhtë në udhëtim Ferizajn, po ashtu me rezultat 2:1. Blend Baftiu i zhbllokoi shifrat në minutën e 15-të. Epërsinë e Ballkanit e dyfishoi Artur Magani, në minutën e 34-t. Ndërkohë, Ferizaj arriti ta ngushtojë epërsinë e mysafirëve në minutat e fundit të pjesës së parë, me golin e Edon Sadriut, por në vazhdim nuk arriti të ndryshojë epilogun e ndeshjes. Fitoren e parë në këtë edicion e ka realizuar Dukagjini, që para tifozëve të vet e ka mposhtur Trepçën’89, me rezultat 1:0. Golin e fitores për Dukagjinin e realizoi Husein Demiri, në minutën e 40-të.