27 shtator, 2023 – Janë zhvilluar sot tri ndeshje në kuadër të javës së 7-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Ballkani ka shënuar fitoren e pestë në këtë edicion, duke e mundur Fushë Kosovën, me rezultat 2:0, ndeshje e cila u zhvillua në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan. Golat për kampionët në fuqi i shënuan Bleart Tolaj, në minutën e 27-të dhe Edvin Kuç, në minutën e 42-të. Tri pikë të reja si mysafir i ka arkëtuar edhe Llapi, në ndeshjen tejet interesante kundër Malishevës, me shifrat 3:2. Deri te fitorja skuadra e Tahir Batatinës erdhi me përmbysje të rezultatit në minutat e fundit të ndeshjes. Malisheva krijoi fillimisht epërsi prej dy golash përmes Aldrit Oshafit (21’) dhe Etnik Brrutit (53’), por llapjanët arritën që t’i gëzohen fitores me dy golat e Muhamet Hysenit (58’ e 90’+9’) dhe një gol të Ahmed Januzit (90’). Gjilani ka realizuar fitoren e dytë në këtë edicion, teksa para tifozëve të vet e ka mundur Lirinë, me rezultat të ngushtë 1:0. Golin e fitores për gjilanasit e realizoi Edi Basa nga penalltia, në minutën e 56-të. Nesër zhvillohen dy ndeshjet e tjera, Prishtina-Dukagjini dhe Feronikeli ’74-Drita.