11 dhjetor, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 18-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Llapi ka shënuar fitore në përballje me Prishtinën, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 3:2. Deri te arkëtimi i tre pikëve të rëndësishme llapjanët erdhën pas një loje tejet interesante dhe dramatike deri në fund. Llapi kaloi në epërsi pas autogolit të Benet Ismailit në minutën e 24-t, ndërsa dy golat tjerë për vendësit i shënuan Francisco Rivera në minutën e 27-të dhe Kushtrim Shabani në minutën e 97-të. Ndërkaq golat për Prishtinën i shënuan Arlind Shabani Prishtina shënoi nëpërmjet Arlind Shabanit në minutën e 43-të dhe Sabien Lilajt në minutën e 61-të. Me këtë fitore, Llapi shkon në pushimin dimëror me 29 pikë në vendin e katërt, kurse Prishtina mbetet në pozitën e pestë me 24 pikë. Fitore si vendase ka shënuar edhe Drita në duel me Ulpianën, me rezultat 3:1. Megjithatë, deri te kjo fitore skuadra gjilanase erdhi me mjaft vështirësi në fushën e rënduar për shkak të reshjeve të shiut. Të parët në epërsi kaluan vendasit me golin e Arbnor Mujës, në minutën e 39-të, por pas shtatë minutash lojë në pjesën e dytë mysafirët rikthyen baraspeshën në rezultat me golin e Egzon Qerimit. Mirëpo, angazhimi dhe këmbëngulja e madhe e vendasve për fitore rezultoi e suksesshme në minutat shtesë të ndeshjes, kur fillimisht Astrit Fazliu realizoi në minutën e 92-të dhe më pas Marko Simonovski, vendosi rezultatin përfundimtar në minutën e 100-të. Drita tani ka 34 pikë, derisa Ulpiana mbetet në pozitën e tetë me 18 pikë. Ndërkohë, Drenica ka shënuar fitore si mysafire në Drenas, në duel me Feronikelin, me rezultat 2:0, me golat e shënuar nga Kreshnik Uka, në minutën e 21-të dhe Fatlum Gashi, në minutën e 51-të.