29 mars, 2019 – Sot janë zhvilluar dy ndeshje në kuadër të javës së 24-t në IPKO Superligë, e ku fitoreve iu gëzuan skuadrat mysafire. Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme në stadiumin “Përparim Thaçi” në Prizren në duel me Lirinë, me rezultat 4:0. Kësisoj, llapjanët e ruajnë hapin me skuadrën kryesuese në renditje, Feronikelin në garën për titull, derisa prizrenasve pas kësaj humbjeje iu vështirësohen edhe më shumë gjërat në luftën për mbijetesë. Serinë e golave për llapjanët e hapi Ahmed Januzi, në minutën e 36-të. I njëjti futbollist e shtoi epërsinë në 2:0 në minutën e 77-të, derisa më pas shënuan edhe Remzifaik Selmani, në minutën e 80-të dhe Hamdi Namani në minutën e 84-t. Ndërkaq, në ndeshjen tjetër, Drita fitoi në duel me Ferizajn, me rezultat 2:1. Golat për mysafirët i shënuan Kyrian Nwabueze, në minutën e 54-t dhe Xhevdet Shabani në minutën e 90-të, derisa golin e vetëm për ferizajasit e realizoi Qëndrim Dautaj, në minutën e 26-të.