9 mars, 2024 – Skuadra e Llapit ka shënuar fitore para tifozëve të vet në kuadër të xhiros së 24-t në Albi Mall Superligë, duke u ngjitur në pozitën e parë në renditje. Llapi ka fituar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në duel me Gjilanin, me rezultat 2:1, në një ndeshje me fund dramatik. Ahmed Januzi shënoi për llapjanët në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, ndërsa sulmuesi Senad Jaroviq barazoi shifrat për Gjilanin në minutën e 71-të me një gjuajtje nga penalltia. Ndërkohë, fitoren e Llapit e siguroi Muhamet Hyseni, në minutën e 90-të nga penalltia.
Drita është rikthyer te fitorja, duke e mposhtur Prishtinën, me rezultat 1:0. Golin e fitores për gjilanasit e shënoi Blerim Krasniqi, në minutën e 61-të pas harkimit të Raddy Ovoukas.
Ndërkaq, ndeshja ndërmjet Dukagjinit dhe Fushë Kosovës, e zhvilluar në stadiumin “18 Qershori” në Klinë përfundoi pa fitues dhe pa gola.