23 shtator, 2023 – Llapi e ka vazhduar serinë pozitive në këtë edicion në AlbiMall Superligë, duke realizuar fitoren e katërt. Në kuadër të javës së 6-të skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka shënuar fitore para tifozëve të vet në “Zahir Pajaziti” ndaj Gjilanit, me rezultat 2:1. Llapjanët kaluan në epërsi me eurogolin e Muhamet Hysenit, në minutën e 19-të, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Granit Jashari, në minutën e 34-t. Në pjesën e dytë Gjilani ishte më këmbëngulës për të ndryshuar rezultatin dhe krijoi disa mundësi. Megjithatë, golin e gjeti vetëm në minutën e tretë të kohës shtesë, kur realizoi Qëndrim Ismajli. Llapi kryeson renditjen me 13 pikë, derisa Gjilani mbetet në kuotën e 4 pikëve, por ka një ndeshje më pak të zhvilluar. Fitore para tifozëve të vet ka realizuar edhe Dukagjini, që e ka mundur Fushë Kosovën, me rezultat 1:0. Golin e fitores për skuadrën e Armend Dallkut e shënoi Theophilus Solomon, në minutën e 76-të. Dukagjini aktualisht ka 6 pikë, derisa Fushë Kosova mbetet në pozitën e fundit në tabelë me një pikë të fituar.