7 prill, 2021 – Sot janë zhvilluar dy ndeshjet e para të gjysmëfinales së Kupës së Kosovës. Llapi ka befasuar Prishtinën duke e mposhtur në stadiumin “Fadil Vokrri”, me rezultat 3:2, duke e bërë një hap të madh drejt finales. Llapjanët kaluan në epërsi në minutën e 6-të, kur Ahmed Januzi shënoi me kokë. I njëjti futbollist realizoi edhe në minutën e 59-të, derisa tre minuta më vonë asistoi për Kushtrim Shabanin, që shënoi për 3:0. Ndërkaq, në vazhdim prishtinasit arritën të këndellën, duke shënuar dy herë. Fillimisht realizoi Albin Prapashtica, në minutën e 66-të me gjuajtje me kokë, derisa krejt në fund të takimit Mërgim Pefqeli shënoi për rezultatin përfundimtar 2:3. Edhe në ndeshjen tjetër fitores iu gëzuan mysafirët. Dukagjini e mundi Istogun, në fushën e vështirë për lojë si pasojë e reshjeve të borës, me rezultat 2:1. Altin Merlaku shënoi fillimisht për Dukagjinin në minutën e 29-të. Shifrat i barazoi Ragip Mazrekaj në minutën e 75-të, por vetëm një minutë më pas Dukagjini e riktheu epërsinë me golin e Bastriut.