6 mars, 2019 – Ndeshja ndërmjet dy skuadrave pretendente për titull, Prishtinës dhe Feronikelit, që u zhvillua sonte në stadiumin “Fadil Vokrri” ka përfunduar pa fitues, me shifrat 1:1. Të parët në epërsi kaluan prishtinasit me golin e Leotrim Bekteshit, me gjuajtje me kokë në minutën e 17-të. Megjithatë, golin e barazimit për Feronikelin e shënoi Mendurim Hoti në minutën e 65-të me kokë pas asistimit poashtu me kokë të Arbër Prekazit. Prishtina nga minuta e 58-të luajti me një futbollist më pak, ngase Lorik Boshnjaku u përjashtu pas dy kartonëve të verdhë. Llapi ka shënuar fitore të rëndësishme në udhëtim në duel me Gjilanin, me rezultat 1:0. Për tri pikë të llapjanëve u përkujdes Elvis Prençi, i cili realizoi në minutat e fundit të ndeshjes. Ndërkohë, pikë të mëdha ka arkëtuar edhe Liria në luftën për mbijetesë, duke e mposhtur Trepçën’89, në Mitrovicë, me rezultat 2:1. Golat në këtë ndeshje i shënuan Fetahaj e Mustafa për Lirinë, ndërkohë për Trepçën 89 shënoi Gava. Ndërkohë, tri pikë si vendase i arkëtoi Ferizaj, që e mposhti KEK-un, me rezultat 4:1. Shabani shënoi 2 herë, derisa me nga një gol kontribuuan Gashi e Demiri, derisa golin e vetëm për KEK-un e shënoi Hajdini. Ndeshja e vetme që u mbyll pa fitues ishte ajo në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, ku Drenica dhe Flamurtari u ndanë baras 1:1. Golat në ndeshje u shënuan nga Nicholas Andrews për vendasit dhe Egzon Krasniqi për mysafirët.