10 shkurt, 2024 – Me dy ndeshjet e zhvilluara sot ka nisur stinori pranveror në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra e Llapit pas eliminimit nga 1/8 e finales së Kupës së Kosovës një javë më parë, ka reaguar mirë duke fituar si mysafire kundër Dritës në Gjilan, me rezultat 1:0, në kuadër të javës së 19-të. Golin e fitores për Llapin e realizoi Arbnor Ramadani, në minutën e 31-të pas asistimit të Diar Vokrrit. Me këtë fitore, Llapi shkëputet në pozitën e dytë me 37 pikë, tri më shumë se Drita që zë vendin e tretë. Ndërkaq, skuadra e parafundit në renditje, Fushë Kosova e ka nisur stinorin pranveror me barazim ndaj Gjilanit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” në Lipjan, me rezultat 1:1. Sulmuesi Senad Jaroviq kaloi në epërsi Gjilanin pesë minuta pa u mbyllur pjesa e parë, derisa një pikë për Fushë Kosovën e siguroi Dorent Hajdari, në minutën e 76-të. Tri ndeshjet e tjera të javës së 19-të zhvillohen të dielën.