16 shtator, 2017 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 5-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Llapi ka shënuar fitoren e tretë në këtë edicion, duke e mposhtur Besën, para tifozëve të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, me rezultat 2:0, për t’u ngjitur në pozitën e parë në renditje, me 11 pikë. Golat për llapjanët i shënuan FLorim Bërbatovci, në minutën e 24-t dhe Mirlind Daku, në minutën e 27-të. Llapjanët paraprakisht nuk kanë shënuar nga pika e bardhë, kur gjuajtjen e Leart Eminit në minutën e 7-të e priti Haxhiaj. Fitore si vendase ka arritur edhe Prishtina, që e ka mposhtur Vllazninë e Pozheranit, me rezultat 2:1. Mankenda e kaloi Prishtinën në epërsi në minutën e 17-të me gjuajtje me kokë pas harkimit të Mazrekajt, derisa epërsinë e shtoi Basit Khalid, në minutën e 34-t. Në anën tjetër, golin e vetëm për Vllazninë e shënoi Alban Shillova, në minutën e 38-të. Do theksuar se Prishtina nga minuta e 80-të luajti me një lojtar më pak, pasi Lorik Maxhuni u ndëshkua me karton të kuq. Ndërkohë, Flamurtari nuk ka arritur t’i gëzohet fitores së parë në Superligë as në javën e pestë, pasi para tifozëve të vet ka barazuar 0:0 me Lirinë, edhe pse kjo e fundit nga minuta e 79-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të Artun Maganit.
Vala Superliga
Llapi – Besa 2:0
Prishtina – Vllaznia 2:1
Flamurtari – Liria 0:0
Liga e Parë
2 Korriku – Vushtrria 1:3
Rahoveci – Ramiz Sadiku 0:0
Liga e Dytë
Grupi A
Luftëtari – Opoja 0:0
Grupi B
Minatori – Dardana 0:2
Istogu – Behari 2:0