15 korrik, 2021 – Skuadra e Llapit nuk ka arritur ta përmbysë epërsinë e Shkupit nga ndeshja e parë, duke i dhënë fund kësisoj aventurës në garat evropiane. Në fakt, llapjanët të enjten në stadiumin “Fadil Vokrri” kanë barazuar 1:1 me skuadrën e Shkupit, në ndeshjen kthyese në kuadër të raundit të parë në Conference League. Ky rezultat i ka mjaftuar skuadrës shkupjane për të kaluar tutje, pasi ndeshjen e parë si vendas e kishte fituar 2:0. Llapjanët e dominuan ndeshjen dhe krijuan disa mundësi para portës Kristian Naumovskit, por nuk arritën ta thyejnë mbrojtjen shkupjane. Ndërkohë, në minutën e 78-të, Adem Ali shënoi për epërsinë e Shkupit, pasi paraprakisht llapjanët kishin mbetur me një lojtar më pak në fushë. Kjo epërsi e mysafirëve zgjati vetëm gjashtë minuta, kur Drilon Fazliu shënoi nga afërsia për ta rikthyer baraspeshën në rezultat. Megjithatë, në minutat e mbetura skuadra e Tahir Batatinës nuk pati forcë për të ndryshuar epilogun e ndeshjes.