28 nëntor, 2021 – Sot janë zhvilluar tri ndeshje në kuadër të javës së 16-të në BKT Superligën e Kosovës në futboll. Llapi dhe Gjilani kanë barazuar pa gola në duelin e zhvilluar në Merdar, në një ndeshje të hapur dhe me shumë raste shënimi. Pas këtij barazimi, Gjilani e ka humbur pozitën e liderit, pasi Ballkani ka shënuar fitore si mysafir në duel me Feronikelin në Drenas, me rezultat 1:0 dhe tashmë kryeson renditjen, me 30 pikë. Golin e fitores për portokallezinjtë e realizoi Theophilus Solomon, në minutën e 25-të. Fitore ka realizuar edhe Malisheva, që e ka mundur Drenicën, me rezultat 2:0. Hasan Hyseni shënoi fillimisht nga pika e bardhë në minutat shtesë të pjesës së parë, teksa fitoren e vendosi Ilir Mustafa në minutën e 89-të. Kjo javë do të përmbyllet nesër me ndeshjen ndërmjet Dritës dhe Dukagjinit.