22 shkurt, 2024 – Skuadra e Llapit e ka kryer me sukses detyrën kundër Fushë Kosovës, në kuadër të javës së 21-të në Albi Mall Superligën e Kosovës në futboll. Në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Sami Kelmendi” , Llapi në cilësi të mysafirit shënoi fitore bindëse, me rezultat 3:0, duke e shkurtuar diferencën me liderin e renditjes, Ballkanin në vetëm një pikë. Golat për llapjanët u shënuan nga Hamdi Namani (23’), Muhamet Hyseni (57’) dhe Ilir Blakçori (68’).

Ndërkohë, Dukagjini ka shënuar fitore të rëndësishme, por të vështirë para tifozëve të vet në duel me skuadrën e fundit në renditje, Lirinë, me shifrat 2:1. Iljasa Zulfiji kaloi skuadrën e Armend Dallkut në epërsi, në minutën e 14-të. Shifrat u barazuan nga prizrenasit përmes Rigon Spahiut, në minutën e 70-të, por në minutën e fundit të ndeshjes, Blerind Morina shënoi për fitoren e skuadrës nga Klina.