14 korrik, 2022 – Llapi nuk ka arritur ta përmbysë epërsinë e Buduqnostit nga ndeshja e parë në Podgoricë (2:0). Në ndeshjen e kthimit të zhvilluar në praninë e rreth 11 mijë tifozëve në stadiumin “Fadil Vokrri”, llapjanët kanë barazuar me skuadrën malazeze 2:2. Kësisoj, skuadra nga Podgorica ka avancuar tutje në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës, teksa Llapi edhe një herë është eliminuar në fazën e parë të garave evropiane. Llapi e pati përkrahjen e madhe të tifozëve dhe atë jo vetëm atyre llapjanë, por edhe pse dominoi me lojë nuk arriti më shumë se sa një barazim. Të parët në epërsi kaluan mysafirët me golin e Viktor Gjukanoviqit në minutën e 23-të. Llapi e vendosi baraspeshën në rezultat në minutën e fundit të pjesës së parë me golin e Alef Firminos nga penalltia. Megjithatë, në pjesën e dytë sërish të parët realizuan malazezët dhe atë nëpërmjet Gjukanoviqit (64′). Llapi ia doli të barazojë rezultatin në 2:2 në minutën e 71-të, me golin e Albion Kurtajt. Krejt në fund në minutat shtesë llapjanët patën mundësi të shënojnë golin e tretë, por gjuajtjen e Festim Alidemës nga penalltia e ndali portieri malazez. Në këtë mënyrë pas Gjilanit aventurën evropiane për këtë edicion e mbyll edhe Llapi, teksa Ballkani dhe Drita do të luajnë në rrethin e dytë të Ligës së Konferencës.