27 shtator, 2017 – Sot janë zhvilluar pesë ndeshje në kuadër të javës së 7-të në Vala Superligën e Kosovës në futboll. Skuadra kampione në fuqi, Trepça’89 ka shënuar fitore para tifozëve të vet ndaj liderit të renditjes, Llapit, me rezultat 3:1, duke ia shkaktuar humbjen e parë llapjanëve dhe njëherësh duke iu afruar tashmë liderit në vetëm dy pikë. Oto John realizoi dy gola në këtë sfidë, fillimisht në minutën e 25-të dhe më pas në minutën e 59-të, derisa me një gol në këtë fitore të rëndësishme të Trepçës’89 kontribuoi Muharrem Jashari, në minutën e 66-të. Ndërkaq, golin e vetëm për llapjanët që ishte edhe gol i barazimit e realizoi Florim Bërbatovci, në minutat shtesë të pjesës së parë. Fitoren e parë në këtë edicion e shijoi Flamurtari, që e mposhti Vllazninë, me rezultat 2:1. Kuqezinjtë e kryeqytetit kaluan në epërsi qysh në minutën e parë, kur shënoi Jurgen Gjini. Vllaznia e barazoi rezultatin në minutën e 50-të me golin e Almedin Muratit, por fitoren e Flamurtarit e siguroi Ardit Jaupaj, në minutën e 70-të. Fitore para tifozëve të vet realizuan edhe Liria dhe Vëllaznimi dhe atë me rezultat identik, 1:0. Liria e mposhti Drenicën, me golin e shënuar nga Zenel Gavazaj, në minutën e 41-të, derisa Vëllaznimi e mundi Besën, me golin e Semir Zenelit, në minutën e 65-të. Ndërkohë, ndeshja e vetme pa fitues ishte ajo ndërmjet Prishtinës dhe Feronikelit, që u zhvillua në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, që u mbyll me shifrat 0:0.