7 korrik, 2022 – Skuadra fituese e Kupës së Kosovës, Llapi ka pësuar humbje në ndeshjen e parë të rrethit të parë në Ligën e Konferencës. Llapjanët, të enjten në mbrëmje, në Podgoricë, janë mundur nga kampioni i shumëfishtë i Malit të Zi, Buduçnosti, me rezultat 2:0. Të dy golat skuadra malazeze i ka shënuar në pjesën e parë. Shifrat i zhbllokoi Lazar Mijoviq, me golin e realizuar në minutën e 23-të, derisa epërsinë në 2:0, që në fund doli të jetë edhe rezultati përfundimtar i takimit e vendosi Urosh Ignjatoviq, me golin e shënuar në minutën e 32-të. Llapi që nga minuta e 30-të luajti me një lojtar më pak pas përjashtimit të qendërmbrojtësit, Bianor. Përkundër këtij epilogu zhgënjyes, skuadra e Tahir Batatinës do të bëjë përpjekje që me përkrahjen e tifozëve ta përmbysë rezultatin në ndeshjen e kthimit në stadiumin “Fadil Vokrri” pas një jave.