18 shkurt, 2024 – Skuadra e Llapit ka shënuar fitoren e dytë radhazi në stinorin pranveror, duke u ngjitur në kuotën e 40 pikëve, duke ngecur tashmë vetëm 4 pikë ndaj liderit të renditjes, Ballkanit. Skuadra e drejtuar nga Tahir Batatina ka triumfuar para tifozëve të vet në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë në duel me Dukagjinin, me rezultat 2:1, në kuadër të javës së 20-të në Albi Mall Superligë. Të dy golat për llapjanët i shënoi futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Muhamet Hyseni. Golin e parë ai e realizoi nga pika e bardhë, në minutën e 10-të, pasi Besir Iseni preku topin me dorë kur ai po shkonte drejt rrjetës. Për këtë veprim Iseni u përjashtua me karton të kuq nga gjyqtari Mentor Ajeti dhe kësisoj skuadra e Armend Dallkut mbeti me 10 lojtarë, duke ia bërë më të lehtë llapjanëve lojën në vazhdim. Epërsinë në 2:0, Hyseni e shtoi në minutën e 57-të, pas asistimit të Arbnor Ramadanit. Mysafirët arritën të ngushtojnë disavantazhin fare në fund, kur Vitor Hugo realizoi nga penalltia. Në ndeshjen tjetër që u zhvillua në stadiumin “Liman Gegaj”, Malisheva e mposhti Fushë Kosovën, me rezultat bindës, 4:1. Skuadra e drejtuar nga Qëndrim Kida realizoi nga dy gola në secilën pjesë. Rilind Haziraj dhe Atin Aliu shënuan në kaptinën e parë, derisa Drilon Hazrollaj e Laurent Xhylani në të dytën. Golin e nderit për skuadrën e Fushë Kosovës e shënoi Dorent Hajdari në minutën e 89-të.