26 maj, 2022 – Skuadra e Llapit është fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2021/22. Ky është triumfi i dytë radhazi i llapjanëve në këtë garë, pasi për herë të parë në histori të klubit këtë trofe e kishin fituar vitin e kaluar. Llapi, të enjten në mbrëmje, në stadiumin “Fadil Vokrri” në një atmosferë madhështore nga tifozët e të dyja klubeve, ka arritur të fitojë me rezultat 2:1. Llapjanët e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në epërsi qysh në minutën e 6-të, me golin e meksikanit Francisco Rivera nga gjuajtja e lirë. Edhe pas këtij goli skuadra e Tahir Batatinës nuk i ndali sulmet drejt portës së gjilanasve, por nuk arritën të dyfishojnë rezultatin. Në anën tjetër, skuadra e drejtuar nga Ardian Nuhiu arriti të barazojë shifrat në minutën e 37-të. Ishte ish-futbollisti i Llapit, Hamdi Namani, i cili shënojë me gjuajtje me kokë pas harkimit të Muharrem Jasharit. Me rezultatin 1:1 skuadrat shkuan në pushim. Edhe pjesën e dytë llapjanët e nisën shkëlqyeshëm dhe vetëm pas tre minutash riktheu epërsinë, kur Arbnor Ramadani, me një gjuajtje të fuqishme realizoi gol duke iu falënderuar edhe devijimit të Almir Ajzerajt. Pas këtij goli ishte Drita që këmbënguli për të barazuar sërish, por pa arritur ta gjejë golin. Në anën tjetër, Dritën me një rast e shpëtoi tërthorësja pa e pësuar edhe golin e tretë. Në fund, festa ishte e llapjanëve, derisa Drita mbetet edhe pa e fituar këtë trofe që nga viti 2001. Trofeun deri në plato e dërgoi kapiteni i Kombëtares, Amir Rrahmani, teksa atë për kapitenin e Llapit, Bujar Idrizi e ndau presidenti i FFK-së, Agim Ademi, derisa medaljet për skuadrën e Dritës i ndau kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, e ato për skuadrën e Llapit, kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi.