23 korrik, 2018 – Dje dhe sot janë zhvilluar katër ndeshje në kuadër të Grupit B, në Kampin Edukativ Kombëtar “Elita 2018”, që po zhvillohet në Durrës. Edhe në këto ndeshje u shfaqën lojëra interesante, ku spikatën disa talente të cilët në të ardhmen do të mund të jenë emra të njohur në futbollin tonë, pasi gjatë historisë 10-vjeçare nga ky kamp vazhdimisht kanë dalur emra të njohur, të cilët na kanë përfaqësuar edhe në nivel kombëtaresh. Përzgjedhja e LRF të Prishtinës 1 ka shënuar dy fitore, duke u dëshmuar ekip më cilësor, ndonëse si në ndeshjen kundër LRF të Mitrovicës, ashtu edhe në atë kundër LRF të Prizrenit ka fituar me rezultat të ngushtë dhe pas lojërave mjaft rivalizuese. Golin e fitores për përzgjedhjen e Prishtinës në duelin kundër Mitrovicës e shënoi Art Zeka, derisa në përballjen me Prizrenin, golat për prishtinasit i shënuan Olti Hyseni dhe Art Zeka, derisa golin për prizrenasit e realizoi Albin Gashi.
Ndërkohë, nga një fitore e kanë realizuar përzgjedhja e Mitrovicës, që e mposhti përzgjedhjen e Gjakovës, me rezultat 2:0, me golat e Ermir Rashicës dhe Arlind Malokut, si dhe Prizreni, që po ashtu e mundi ekipin e Gjakovës, me rezultat 1:0, me golin e Riton Bytyqit. Nesër do të zhvillohen dy ndeshjet e fundit të këtij kampi.
Ndërkohë, në kuadër të këtij kampi zyrtari për integritet i FFK-së, z. Ejup Osmani, ka mbajtur sot edhe një ligjeratë kundër kurdisjeve të ndeshjeve me futbollistët e rinj të katër ekipeve tjera pjesëmarrëse të këtij kampi. Para fillimit të ligjëratës është mbajtur një minutë heshtje në nderim të ish-presidentit, Fadil Vokrri, i cili sot e kishte datëlindjen, si dhe në fund është duartrokitur emri i tij. Ashtu sikurse në ligjëratën e kaluar u ka shpjeguar futbollistëve të rinj për luftën që po bënë UEFA e FIFA, por edhe FFK-ja kundër dukurive të tilla siç janë kurdisjet apo manipulimet e rezultateve të ndeshjeve si dhe i ka inkurajuar që në të ardhmen nëse ballafaqohen me sfida të tilla t’i thonë me vendosmëri jo presioneve nga manipuluesit.