25 janar, 2024 – Lidhja Rajonale e Futbollit e Prishtinës (LRFP) mbajti manifestimin “Laureatët 2023”, një ngjarje kjo e veçantë ku u shpallën më të mirët e vitit në futboll nga grupmosha U-9 deri në grupmoshën U-17. Të pranishëm ishin edhe presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, kryetarët e Lidhjeve tjera rajonale, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, drejtori për Sport, Granit Rugova si dhe personalitete të shquara të futbollit nga regjioni i Prishtinës.
Presidenti Ademi përgëzoi Lidhjen Rajonale të Prishtinës për punën e shkëlqyer dhe masivitetin e saj, duke e vlerësuar si shtyllën kryesore të futbollit në vend. Ai theksoi se çdo regjion është i rëndësishëm për federatën dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme për zhvillimin e futbollit në të gjitha nivelet. Presidenti gjithashtu bëri të ditur për projektet e shumta të FFK-së, duke përfshirë edhe digjitalizimin.
Me një fjalë rasti të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, i cili shprehu kënaqësinë për bashkëpunimin e ngushtë me FFK-në në krijimin e kushteve më të mira për futbollin. Ai njoftoi se po punohet në projektin e një stadiumi të ri për kryqytetitn dhe premtoi një tender ndërkombëtar për ndërtimin e tij.
Drejtori i Sportit në Komunën e Prishtinës, Granit Rugova, vuri në pah se institucioni që ai përfaqëson do të vazhdojë të mbështesë futbollin dhe krijimin e kushteve të mira për komunitetin edhe gjatë këtij viti dhe në vitet pasuese.
Kryetari i LRFP, Ismajl Ajeti, falënderoi kryetarin e FFK-së dhe të gjithë ata që kanë kontribuar për futbollin dhe LRFP-në gjatë vitit 2023, derisa në shenjë respekti ndau një mirënjohje për presidentin Ademi për mbështetjen e pandalshme për këtë regjion.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve përfshiu nderimet për personalitetet e shquara, trajnerët dhe klubet më të suksesshme gjatë vitit 2023. Po ashtu, u shpallën lojtarët më të dalluar në grupmosha: Art Vitija (Rilindja U-9), Dion Berisha (Kurda U-11), Dardan Fazliu (Kurda U13), Omer Shala (2 Korriku U-15) dhe Aldin Xhigoli (Ardhmëria U-17).